“Peizazhe betoni në muze – OPEN MUSEUM”

 

 

 

 

 

Projekt me fokus: TË RINJTË, KULTURËN , TURISMIN

“Peizazhe Betoni në Muze – Open Museum”  është një muze i hapur interaktiv me objekte të arkitekturës brutaliste, të prodhuar gjatë periudhës komuniste në kryeqytet. Ai vjen si Website openmuseum.al por dhe aplikacion në App Store dhe Google Play, si dhe platformat e tjera online (Instagram: Open.museum dhe Facebook: Open Museum).

Ky projekt u konceptua dhe realizua nga BE The Change me mbështetjen financiare të Ministrisë të Kulturës. Vizitorët e këtij muzeu të hapur interaktiv kanë mundësinë të njihen me objektet e interesit përmes një aplikacioni, i cili mundëson një hartë interaktive dhe një libër digjital me harta orientuese, indeks arkitektësh dhe tekste informuese për qytetet, ndërtimet dhe objektet e paraqitura. Çdo objekt është paraqitur në imazhe 3D, duke krijuar një eksperiencë të veçantë për vizitorët e tij. Përtej mundësisë së vizitës virtuale, aplikacioni dhe harta interaktive që ai mban, shërbejnë gjithashtu edhe si një udhërrëfyes i vizitorëve vendas dhe të huaj që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë, duke vizituar nga afër objektet e interesit.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është promovimi i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve mbi vlerat që ajo mbart, nëpërmjet inovacionit.

Ky projekt është në funksion të :

  • Ndërgjegjësimit dhe informimit të qytetarëve dhe turistëve mbi veprat dhe trashëgiminë kulturore të periudhës komuniste në Shqipëri.
  • Promovimit të trashëgimisë kulturore nëpërmjet teknologjisë inovative.
  • Rritjen e kapaciteteve të të rinjve studiues dhe profesionistëve të rinj mbi arkitekturën brutaliste dhe ‘krijimi’ i një mjeti kërkimesh mbi këtë tematikë.

NJË UDHËTIM NË HISTORINË E 50 VITEVE TË DIKTATURËS KOMUNISTE NËPËRMJET ARKITEKTURËS.

Veprat e arkitekturës bëjnë të mundur kuptimin konkret të një epoke dhe fenomeneve shoqërore të komplikuara. Ato janë monumente të vërteta që dëshmojnë për historinë, mentalitetin, kulturën dhe stilin e jetesës të një shoqërie në një kohë të caktuar.

Nuk ka nevojë të lexojmë gjithçka mbi “Historinë e P.P.SH”-së as veprat e Enver Hoxhës, as dokumentet e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik apo me Republikën Popullore të Kinës. Mjafton të ndalemi dhe të njohim këto objekte arkitekturore për t’i kuptuar të gjitha.